Sunday, March 9, 2014

E mira dhe e keqja!!

 Transmetohet nga Nuas in Seman se ka thënë: “E pyeta Profetin alejhi selam se çfarë është el birru (virtyti) dhe el ithëm (e keqja)?” Profeti alejhi selam tha: “El birru është
morali i mirë, ndërsa el ithëm është ai që ta turbullon shikimin tënd dhe nuk do që ta dinë të tjerët.” Muslimi

Kuptimi i përgjithshëm.

El birru është morali i mirë. El birr janë veprat, morali, ndjenjat, ndikimi i të cilit përhapet tek njeriu dhe e gjithë shoqëria, e ngre jetën e këtij individi dhe jetën e shoqërisë. Ndikimi i parë i këtij virtyti shfaqet tek morali i mirë, e ky moral është fjalë e cila përmbledh lidhjet farefisnore, bujarinë, ndihmën ndaj të afërmit, shfaqet e kujdesia për jetimin, mbrojtja e tij nga mosmashtrimi. Gjithashtu shfaqet në ndihmën e të nevojshmëve në çdo kohë, shfaqet në kujdesen ndaj namazit, në mbajtjen ndaj premtimit, në durimin në kohë të vështira. Gjithashtu, shfaqet tek dhënia ndihmë të varfërve, përkujdesja ndaj tyre me pasuri në shoqërinë myslimane, në të cilën nuk poshtërohet individi.

Fjala e Profetit alejhi selam: “Virtyti është morali i mirë.” është një mënyrë e folur e cila përmbledh të gjitha kuptimet që ta edukojnë dhe ta qetësojnë zemrën dhe e pastrojnë atë nga lëkundjet, të këqijat si dhe e përgatit këtë zemër për vështirësitë që mund të hasë ajo në kohë të vështira, për të mos hequr dorë ndaj detyrës madhështore që ka përsipër.

Profeti alejhi selam ka ftuar për në moralin e mirë në shumë raste, sikurse thotë: “Më i dashuri nga ju tek unë dhe më i afërti në pozitë, është ai i cili ka moralin më të lartë.” Është transmetuar në Kuran kuptimi i fjalës el birr në raste të ndryshme, sikurse është në suren Bekare, ajeti 177 “Nuk është e tërë e mira (e kufizuar) të ktheni fytyrat tuaja nga lindja ose perëndimi, por mirësi e vërtetë (el birr)...” Kështu pra, ky ajet i vetëm përmbledh bazat e besimit dhe përdorimin e trupit dhe pasurisë dhe të gjitha këto përfshihen tek fjala el birr. Është e vërtetë që kjo fjalë është kyçi (baza) rreth së cilës sillet Islami, parimet e tij dhe sistemi i përsosur islam.

Ndërsa el ithëm është ajo që mbetet nëse myslimani nuk i zbaton kuptimet e fjalës el birr. Zemra e njeriut lëkundet kur përballohet me një vepër të keqe dhe largohet nga çdo gjë e dyshimtë. Kur ai i afrohet një vepre të keqe largohet nga njerëzit dhe nuk dëshiron që të tjerët ta shohin punën e tij, sepse ndjenja e një myslimani, i konsideron njerëzit si dëshmitarët e Allahut në tokë.

Dispozita që dalin nga hadithi.

El ithëm përmbledh gjynahet e mëdha dhe të vogla.

Çfarë përfitohet nga hadithi.

1. Në këtë hadith ka baza matëse me të cilat myslimani mat veprat e tij. Ajo vepër e cila është në përshtatje me sheriatin dhe me të cilën i qetësohet zemra, ajo është el birru, ndërsa kur lëkundet zemra dhe nuk i qetësohet shpirti në veprimin e një vepre të keqe, ky është el ithëm.

2. T’i kushtosh rëndësi moralit të mirë. Duhet që myslimani të jetë i butë dhe i komunikueshëm, të paraqitet me fytyrë të ëmbël, me fjalë të dashura për Allahun dhe për njerëzit.

3. Duhet që nxënësit të pyesin profesorin për atë gjë që nuk e dinë. Përgjigja të jetë në një mënyrë të qartë dhe të kuptueshme për atë që i thua dhe i tregon të tjerëve.


Përktheu: Omer Murati

Friday, March 7, 2014

Mbi pendimin!

“I penduari nga gjynahu është si ai i cili nuk ka fare gjynah.” 

Prej mëshirës së Allahut mbi robërit e Tij është dhe pranimi i pendimit, nëse ky pendim bëhet me sinqeritet dhe duke vendosur moskthimin më në të. [1]

Dijetari i njohur Ibn Kajim el Xheuzijeh thotë se nëse njeriu pendohet nga gjynahu me gjithë zemër dhe me sinqeritet, atëherë ky pendim ia djeg çdo të keqe që ka vepruar më parë dhe ia kthen ato sevape që ka pasur më parë.

Gjynahet dhe veprat e shëmtuara janë sëmundje për zemrën siç janë dhe ethet për trupin. I sëmuri nëse shërohet nga sëmundja i kthehet shëndeti si më parë e ndoshta dhe më mirë, sikur të mos ishte kurrë i sëmurë.

Po ta zëvendësonim shëndetin me veprat e mira dhe sëmundjen me veprat e këqija dhe gjynahet, ndërsa shërimin dhe rikthimin e shëndetit me pendimin do të ishte i saktë krahasimi i mëposhtëm:
“Siç dihet ka disa sëmundje pas së cilave njeriut nuk i kthehet shëndeti si më parë, e kjo vjen nga mos shërimi i plotë. Nga disa sëmundje të tjera i kthehet shëndeti siç e ka pasur, por ka dhe prej atyre sëmundjeve pas të cilave njeriu ndjehet më i shëndoshë se më parë për shkak të shkaqeve të suksesshme që u përdorën për shërim. E pra, u bë sëmundja shkak për një shëndet më të fortë.”

Shënim: Ky mesazh është për të gjithë ne njerëzit mëkatarë, që të pendohemi nga gjynahet, t’i kthehemi me sinqeritet rrugës ku na fton Allahu, e t’i konsiderojmë gjynahet e kryera si një nxitës për vepra të mira e jo pengues, në mënyrë që të mos i humbasim shpresat  nga mëshira e Allahut e të mos vazhdojmë  më në të ndaluara.

[1]Transmeton Ibn Maxhe.


Përktheu: Omer Murati

Thursday, March 6, 2014

Kënaqësia më e madhe në xhenet!

Kënaqësia dhe dhuntia më e madhe, më e larta dhe më madhështorja në botën tjetër është të shikuarit e Allahut të Madhëruar.
Nga Suhejbi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, kumtohet se i Dërguari i Allahut sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë: “Kur të hyjnë banorët e xhenetit në xhenet, një thirrës thërret: “O banorë të xhenetit! Ju keni një takim me Krijuesin tuaj. Doni t’iu tregoj për të?” Thonë: “Çfarë takimi është? A nuk na i zbardhi fytyrat, na rëndoi peshoren (e veprave të mira), na futi në xhenet dhe na mbrojti nga zjarri?” Pastaj zbulohet perdja (pengesa) dhe e shikojnë Allahun. Nuk u është dhuruar (banorëve të xhenetit) më parë diçka më e dashur sesa të shikuarit e Allahut të Madhëruar.[1]

I Dërguari sal-lallahu alejhi ue selem e sqaron në këtë hadith se me gjithë të mirat që Allahu u ka dhënë atyre, prapë gjëja më e dashur për ta është të shikuarit e Allahut të Madhëruar.
Për këtë arsye, Allahu na ka treguar për gjendjen e jobesimtarëve me fjalët: “Nuk është ashtu! Në të vërtetë, atë ditë një vel do t’i pengojë ata që të shohin Zotin e tyre...”[2]

Atyre u janë bashkuar dy lloje dënimi: dënimi i zjarrit dhe dënimi i pamundësisë për të parë Allahun e Madhëruar. Ashtu siç ka bashkuar për të dashurit e Tij dy kënaqësi dhe dy dhunti: kënaqësinë dhe dhuntinë e xhenetit dhe mundësinë për të parë Allahun e Lartësuar.
Përgëzime për atë që ka privilegjin ta shohë Allahun e Lartmadhëruar, Krijuesin e botëve. E lus Allahun që të jemi prej atyre që e shohin Atë dhe të na bëjë prej atyre që i ka përmendur në Kuran me fjalët: “E s’ka dyshim se vepërmirët janë në përjetime e kënaqësi (në xhenet). Të mbështetur në kolltukë vështrojnë.”[3] 



[1] Shënon Buhariu, Muslimi.

[2] Muttafifin: 15.

[3] Muttafifin: 22-23.


Përktheu: Omer Murati

Wednesday, March 5, 2014

Hadithi “Mjerë për thembrat nga zjarri.”

Transmetohet nga Abdullah bin Amër el Asi, Ebu Hurejra dhe Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata!) se kanë thënë: “I Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Mjerë për thembrat nga zjarri.
Nxjerrja e hadithit:
Hadithin e transmetuar nga Abdullah bin Amër el Asi e ka nxjerr Buhariu (60) dhe Muslimi (241).
Hadithin e Ebu Hurejrës e ka nxjerr Buhariu (165) dhe Muslimi (242)
Hadithin e Aishes e ka nxjerr Muslimi (240)
Ahmedi (9/24570) dhe En Nesai (1/77-78).
Shpjegimi:
Fjala e tij (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Uejlun – Mjerë”, disa komentues kanë thënë se: “Uejlun është lugin në xhehenem.” Porse e sakta është se “Uejlun – Mjerë” është fjalë që vjen (tregon) për kërkënim dhe dënim.
Fjala e tij (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “për thembrat nga zjarri”, Thembra është pjesa e mbrampe e këmbës. Prej këtij hadithi kuptohet ndalimi i lënies së larjes së thembrave kur merr abdes. E kjo, ngase Profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) vërejti disa sahabë që po merrnin abdes dhe nuk i lanë thembrat e këmbëve (nga nxitimi). Atëherë Profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) urdhëroi një person që të thërrasë dhe të thotë: “Mjerë për thembrat nga zjarri.” Kjo gjë na tregon se nuk i lejohet personit të lëri pa larë thembrat e këmbëve gjatë marrjes së abdesit dhe se abdesi nuk është i plotë vetëm se me larjen e tyre. Ky është medh’hebi i shumicës (xhumhurve) së umetit duke kundërshtuar kështu mendimin e disa bidatçinjve.[1]

[1] Sherh Umdetil Ahkam


Përktheu: Omer Murati

Tuesday, March 4, 2014

Debati ë mes Dijetarëve sunni dhe Dijetarëve Shija ë kohën e Nadir Shah në Iran!!!

Kjo ngjarje ka ndodhur në kohën e (prijësit) Nadir Shah në Iran [1]. 

Nadir Shah i thirri të gjithë dijetarët Sunni dhe dijetarët e Shijave në mënyrë që t’i bashkojë ata dhe të shikojë shkakun mospajtimit mes tyre. Erdhën të gjithë dijetarët e Shijave, kurse nga dijetarët Sunni erdhi veç njëri prej tyre, dhe ai erdhi me vonesë. Ai hyri tek ata duke i mbajtur këpucët e tij nën sqetulla. Dijetarët e Shijave e vështruan atë, dhe i thanë: “Përse ke hyrë tek (prijësi) Shah dhe po i mban këpucët (nën sqetulla) ?”

Ai tha: “Kam dëgjuar se Shijat në kohën e të Dërguarit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – i vidhnin këpucët!”

Ata thanë: “Nuk kanë ekzistuar Shijat në kohën e të Dërguarit!”

Ai tha: “Atëherë, mbaroi debati! Prej nga erdhët ju me fenë tuaj?”



[1] Dijetari që debatoi me Rafidijt ishte Abdullah es-Suejdi – Allahu e mëshiroftë -, lindi në vitin 1104 H, dhe vdiq më 1170 H.


Përktheu: Omer Murati



Monday, March 3, 2014

Historia e Ibrahimit me mbretin zullumqar!!

Nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmetohet se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Ibrahimi u shpërngul bashkë me Sarën derisa hynë në një qytet ku ndodhej një mbret apo tiran. Atij i thanë: ‘Ka ardhur Ibrahimi bashkë me një grua me bukuri të rrallë.’ Mbreti e thirri dhe i tha: ‘O Ibrahim, kush është ajo grua që ka ardhur me ty?’ Tha: ‘Ajo është motra ime.’ Pastaj u kthye tek ajo dhe i tha: ‘Mos më nxirr mua gënjeshtar, pasi unë u thash atyre se je motra ime, dhe unë betohem në Allahun se nuk di të ketë mbi tokë ndonjë besimtar veç meje dhe teje.’ Mbas kësaj, e dërgoi te ai. Kur mbreti deshi t’i afrohej, ajo nxitoi të marrë abdes e menjëherë nisi të falej dhe tha: ‘O Allahu im, nëse unë kam besuar tek Ti dhe tek i Dërguari yt dhe e kam ruajtur nderin tim, mos e lejo këtë të pafe të më shtijë në dorë!’ Ai u rrëzua në dysheme dhe nisi të ngasë këmbët.
El Earaxh tha se Ebu Seleme bin Abdurrahman ka thënë se Ebu Hurejra ka treguar se ajo tha: ‘Nëse ai vdes, do më fajësojnë mua’ – kështu që kërkoi ndihmë. Kur u përmend, ai deshi përsëri ta prekë, por ajo nxitoi të marrë abdes e menjëherë nisi të falej dhe tha: ‘O Allahu im, nëse unë kam besuar tek Ti dhe tek i Dërguari yt dhe e kam ruajtur nderin tim, mos e lejo këtë të pafe të më shtijë në dorë!’ Ai përsëri u rrëzua në dysheme dhe nisi të ngasë këmbët.”
Abdurrahmani ka thënë se Ebu Selemeh ka thënë se Ebu Hurejra ka treguar se ajo tha: “Nëse ai vdes, do më fajësojnë mua” Kështu që kërkoi ndihmë për të dytën apo të tretën herë. Mbreti tha: “Pasha Zotin, nuk më keni sjellë njeri por shejtan! Jepini asaj Haxheren dhe çojeni tek Ibrahimi!” Ajo u kthye tek Ibrahimi dhe tha: “E ndjeva që Allahu e zmbrapsi të pafenë dhe më dhuroi një shërbëtore.”[1]

[1] Hadithin e transmeton Buhariu në “Sahihun” e tij me nr. 2217.

Përtheu:Omer Murati


Sunday, March 2, 2014

Allahu nuk i bën padrejtësi askujt!!

I Dërguari i Allahut (sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: "Allahu i Madhëruar do e marrë në pyetje një njeri prej popullit tim para gjithë njerëzve. Para tij do paraqiten nëntëdhjetë e nëntë libra dhe secili prej tyre është aq i madh sa arrin shikimi i tij. Më pas Allahu i Madhëruar thotë: "A mendon se të kanë bërë padrejtësi engjëjt që shkruanin veprat e tua?
Njeriu përgjigjet: Jo, o Zoti im.  
Allahu i thotë: A ke ndonjë arsyetim?
Thotë: Jo, o Zoti im.
Atëherë Allahu i thotë: Ti posedon tek Ne një të mirë dhe kurrsesi nuk do të bëhet padrejtësi. Në këtë moment do t'i tregojë një fletë ku shkruhet: Eshhedu en la ilahe ila Allah ue eshhedu ene Muhameden abduhu ue resuluhu.
I thuhet: Sille peshoren tënde!
Njeriu thotë: O Zoti im, çfarë është kjo letër në krahasim me këta libra?!
Allahu thotë: Ty nuk do të bëhet padrejtësi. Pastaj vendoset letra në një anë të peshores dhe librat në anën tjetër dhe papritur letra e ngren lart krahun e librave.”[1]

[1] Transmeton El Hakimi, i cili ka thënë se hadithi është autentik. Shih “Silsiletu es Sahihah” të imam Albanit (Allahu e mëshiroftë!) me nr. 135 

Përktheu: Omer Murati!!