Friday, February 28, 2014

Adhurimi Më i madh!

A të të drejtoj tek një adhurim nga adhurimet më të mëdha? I Dërguari, sal-lAllahu alejhi ue selem, e vepronte atë në çdo gjendje të tij.
Madje, Allahu i Lartësuar i urdhëroi besimtarët që ta veprojnë atë pas namazit, agjërimit, haxhit, gjatë luftimit, para dhe pas ushqimit,
para dhe pas gjumit... E megjithatë, për këtë s`ka nevojë drejtim kah kibleja, e as mbulim të avretit (vendeve të turpshme) dhe nuk bëhet
me xhemat. Nuk bëhet udhëtim për hir të tij, e as nuk jepet ndonjë para e vetme për të.       
Këtë adhurim mund ta bëjë çdo i madh e i vogël; i pasur e i varfër; burrë e grua; i ditur e xhahil; i angazhuar e i lirë…        
A e di cili është ky adhurim?
Ai është (adhurimi) për të cilin Allahu i Lartësuar i lavdëroi vepërmirët e vepërmirat, sepse ata gjithnjë e veprojnë atë. Allahu i Lartësuar thotë:
“…përkujtuesit e Allahut vazhdimisht dhe përkujtueset, pra, për të gjithë këta Allahu ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh.” (Ahzab: 35)        
I Dërguari, sal-lAllahu alejhi ue selem, thotë: “A dëshironi t`ju tregoj për veprën tuaj më të mirë, më të pastër te Sunduesi i juaj (Allahu),
me të cilën fitoni shpërblimet më të larta tek Ai, për veprën më të mirë sesa të shpenzoni ar dhe argjend dhe më të mirë sesa ta takoni
armikun tuaj dhe t`i mëshoni në qafë apo t`ju mëshojnë ata juve? Ata thanë: “Po, si jo!” I Dërguari, sal-lAllahu alejhi ue selem, tha:
Dhikri (përmendja) e Allahut.” (Sahih ibën Maxhe)         
Muadh ibën Xhebeli, radijAllahu anhu, thotë: “Nuk ka gjë që të shpëton më shumë prej dënimit të Allahut sesa përmendja e Allahut.”
(Shënon imam Ahmedi). Ebu Hurejre, radijAllahu anhu, e përmendte Allahun gjatë ditës e natës më shumë se dymbëdhjetëmijë herë. Dhe thoshte:
“Kjo është përmendja, që shpëtohem me të nga Zjarri.”        
Dhe nga dhikret (përkujtimet) më me vlerë është leximi i ajetul kursisë pas çdo namazi obligativ. I Dërguari, sal-lAllahu alejhi ue selem, thotë:
"Kush e lexon ajetul kursinë pas çdo namazi, nuk e pengon këtë njeri për t'u futur në Xhenet përveç se vdekja." Dhe i Dërguari,
sal-lAllahu alejhi ue selem, thotë: “Nuk ka ndonjëri prej jush i cili merr abdest dhe e përsos atë, e më pas thotë: “Dëshmoj se nuk meriton të
adhurohet askush më të drejtë pos Allahut dhe se Muhamedi, sal-lAllahu aljehi ue selem, është rob dhe i Dërguar i Allahut”,
veçse do t`iu hapen tetë porta të Xhenetit, e ai do të futet nga cila të dojë.”        
Andaj bëhu përkujtues i Allahut në çdo gjendje. Po (ndoshta) ke mangësi në namazin e natës, agjërimin vullnetar e sadakanë!
Prandaj kujdesu që të mos kesh përtaci ndaj dhikrit, pasi që ai s`të mundon asgjë.
 Zoti yt i Lartmadhëruar thotë: Prandaj, më kujtoni Mua (me namaz e lutje) që Unë t’ju kujtoj (me shpërblime) dhe falënderomëni Mua
(duke M’u bindur) e mos i mohoni dhuntitë e Mia (me mosbindje)!” (Bekare, 152)

Përktheu: Omer Murati

No comments:

Post a Comment