Kur kemi në konsideratë tiparet e tij, ai ka disa emra, ndërsa qenia e emërtuar është një. Nga ky vështrim, emrat e tij janë sinonime, ndërsa kur kemi parasysh cilësitë e tij, ata ndryshojnë. Po kështu puna qëndron edhe me emrat e Allahut, emrat e librit të Tij, emrat e Pejgamberit, emrat e Ditës së Gjyqit dhe emrat e Zjarrit.
Emri i parë: Xhenneh. Ky emër është i përgjithshëm dhe si i tillë përfshin në vete tërë banimin me të gjitha begatitë, prehjet, gëzimet, kënaqësitë, etj. Kjo fjalë është nxjerrë nga fjala seter, që do të thotë mbulojë. Për këtë arsye embrioni është quajtur xhenin, sepse është i mbuluar në bark. Gjithashtu edhe i çmenduri është quajtur mexhnun, për shkak të mbulimit të mendjes së tij. Edhe kopshti është quajtur xhenneh, sepse brendësia e tij është e mbuluar nga pemët.
Emri i dytë: Daru sselam (Banesa e paqes). Allahu i lartësuar e ka quajtur kështu në fjalët e veta: ''Për ta do të jetë Shtëpia e Paqes te Zoti i tyre'' (Enam, 127), dhe ''Allahu ju fton në Shtëpinë e Paqes'' (Junus, 25). Pasi aty janë të mbrojtur nga çdo sprovë, shqetësim a fatkeqësi, kjo shtëpi meriton të quhet ashtu. Pra selam (paqe, siguri) është Shtëpia e Allahut dhe njëherësh është edhe emër i Tij. Ai e ka bërë atë banim të paqes edhe i ka shpëtuar banorët e tij.
Allahu i lartësuar thotë: "Dhe selam (paqe, siguri nga çdo e keqe) do të jenë përshëndetjet e tyre atje'' ( Junus, 10), "Dhe melekët do të hyjnë tek ata nga çdo portë (e xhennetit duke u thënë) selamun alejkum (paqja qoftë mbi ju) ngaqë duruat'' (Rad, 23-24). Gjithashtu Allahu i lartësuar do t'u jap selam nga lart. Allahu i lartësuar thotë: "Ata do të kenë fruta dhe gjithçka që kërkojnë. (Do t'u thuhet): Selam (Paqja qoftë mbi ju) fjalë nga Zoti (Allahu) Mëshirëploti'' (Jasin, 57-58). Në hadithin e Xhabirit, i cili do të pasojë, përmendët se Allahu i përshëndet ata me selam në xhennet. Edhe fjalët e tyre të gjitha do të jenë selam. Aty në do të flasin fjalë të ulëta, të ndyta e të kota, siç thotë Allahu i lartësuar: ''Ata nuk do të dëgjojnë atje ndonjë lagwa (fjalë të kota e të rreme), por vetëm selam''. (Merjem, 62)
Emri i tretë: Dar el-huldë (Shtëpia e përhershme). Është quajtur kështu, sepse banorët e saj kurrë nuk do ta lënë atë. Allahu i lartësuar thotë: ''Shpërblim (dhuratë) pa fund'' (Hud, 108)", ''Ky është furnizimi Ynë që nuk do të shterojë kurrë" (Sad, 54), ''Dhe nuk do t'u kërkohet kurrë që të dalin prej tij''. (Hixhër, 48)
Emri i katërt: Dar el-mukameh (Shtëpia e qëndrimit pambarim). Allahu i lartësuar kur flet për banorët e këtij vendbanimi, thotë: ''Gjithë lavdërimet dhe falënderimet i qofshin Allahut, i Cili ka larguar prej nesh të gjitha hidhërimet. Vërtet që Zoti ynë gjithherë është falës i madh dhe çmues i veprave të mira. I Cili nga mirësia e Tij na ka strehuar në Shtëpinë e qëndrimit pambarim. Atje as mundim nuk do të na prekë, as lodhje nuk do të ndjejmë'' (Fatir, 34). Mukatili, në lidhje me domethënien e këtij ajeti, thotë: "Na ka vendosur në shtëpinë e përjetshme, ku do të qëndrojmë përgjithmonë. Aty as nuk do të vdesin, e as nuk do ta lënë kurrë atë".
Emri i pestë: Xhennetu el-me'wa (Kopshti i strehimit). Allahu i lartësuar thotë: ''Pran saj është xhennetu el-me'wa (kopshti i strehimit)''. (Nexhm, 15)
Ibën Abasi thotë: "Ai është xhenneti ku vendoset Xhibrili dhe melaiket".
Muxhahidi dhe Kelbi thonë se ai është xhenneti ku vendosen shpirtrat e dëshmorëve.
Ajshja thotë ai është njëri nga kopshtet e xhennetit.
E vërteta është se xhennetu el-me'wa është emër nga emrat e xhennetit, siç thotë Allahu i lartësuar: ''Ndërsa, sa për atë që iu frikësua qëndrimit para Zotit të vet dhe e ndaloi vetën nga dëshirat e liga dhe nefsi i njollosur, vërtet që xhennetu el-me'wa do të jetë vendbanimi i tij'' (Naziat, 39).
Emri i gjashtë: Xhennatu adën. Thuhet se ky është emër i njërit nga xhennetet, mirëpo e vërteta është se ky është emër i të gjitha xhenneteve dhe që të gjitha janë xhenatu adën. Allahu i lartësuar thotë: ''Xhennetet e adënit i Gjithmëshirshmi ua ka premtuar robërve të vet, të cilët besuan gajbin (të fshehtat e Tij)'' (Merjem, 61), ''Ata do të hyjnë në xhennetet e adnënit, ku do të stolisen me byzylykë ari dhe perlash, ndërsa rrobat e tyre atje do të jenë penj mëndafshi'' (Fatir, 33), ''Në banesat e këndshme në xhennetet e adënit'' (Saf, 12). Vetë prejardhja e emrit tregon se ky është emër i të gjitha xhenneteve. Ai vjen nga fjala el-ikame dhe dewam, që do të thotë qëndrim dhe vazhdim. Thonë: adene bi mekan, nëse qëndron në të.
Emri i shtatë: Dar el-hajewan. Allahu i lartësuar thotë: "Vërtet që banesa (xhenneti) e jetës së përjetshme, ajo është e përjetshmja, e pasosura'' (Ankebut, 64). Komentuesit thonë se fjala el-ehireh nënkupton xhennetit, ndërsa fjala lehije elhajewan do të thotë se ajo është vërtet shtëpia e jetës ku nuk ka vdekje.
Emri i tetë: Firdews. Allahu i lartësuar thotë: ''Këta janë me të vërtetë trashëguesit, të cilët do të trashëgojnë Firdewsin. Ata do të jenë aty përgjithmonë'' (Mu'minun, 10-11). Me këtë emër quhet i gjithë xhenneti dhe gjithashtu me këtë emër quhet xhenneti më i mirë dhe më i lartë, dhe ndoshta ky i fundit është më meritorë për këtë emër.
Firdews do të thotë kopsht. Muxhahidi dhe Zuxhaxhi mendojnë se kjo fjalë është e huazuar dhe e ka domethënien e kopshtit i cili përmban çdo gjë që mund të gjendet në ndonjë kopsht.
Emri i nëntë: Xhennatu e-nneim. Allahu i lartësuar thotë: ''Vërtet se ata që besojnë dhe punojnë mirësi, për këta janë kopshtet e kënaqësisë (xhennatu e-nneim)'' (Lukman, 8). Ky gjithashtu është prej emrave përmbledhës të të gjitha xhenneteve, sepse përmban në vete të gjitha llojet e kënaqësive me të cilat kënaqemi, siç janë ushqimet, pijet, veshjet, pamjet, erërat e mira, banesat e gjera dhe kënaqësitë e tjera të dukshme e të padukshme.
Emri i dhjetë: el-Mekamu l-emin (Vendi i sigurisë). Allahu i lartësuar thotë: ''Sigurisht se të devotshmit do të jenë në vendin e sigurisë'' (Duhan, 51). el-Mekam quhet vendi ku qëndrohet,
ndërsa el-Emin do të thotë i sigurt nga çdo e keqe, nga çdo prishje dhe nga çdo gjë e urryer. Pra ky vend përmban të gjitha tiparet e sigurisë. Është i sigurt nga përfundimi, nga prishja dhe nga çdo gjë që ndikon negativisht. Banorët e tij janë të sigurt se nuk do të nxirren nga aty, nuk do t'u pakësohen të mirat dhe janë të mbrojtur nga çdo gjë e bezdisshme - ''Pasha këtë qytet të sigurisë'' (Tin, 3), në të cilin janë të sigurt banorët e tij nga ajo të cilës ia kanë frikën.
Mendo si Allahu i lartësuar e ka potencuar sigurinë në fjalët e vet: ''Sigurisht se të devotshmit do të jenë në vendin e sigurisë'' (Duhan, 51), dhe ''Ata do të kërkojnë çdo lloj frute në paqe e siguri'' (Duhan, 55), ka bashkuar në mes sigurisë së vendit dhe sigurisë së ushqimit. Ata nuk kanë frikë se frutat do t'u sosen ose do t'u lënë pasoja, ose do t'u bëjnë dëm. Ata janë të sigurt se nuk do të nxirren nga aty dhe njëherësh janë të sigurt se nuk do të vdesin.
Emri i njëmbëdhjetë: Makadu e-ssidëk. Allahu i lartësuar thotë: "Me të vërtetë që të devotshmit do të jenë në kopshte të begata dhe lumenj, në kuvendin e së vërtetës" (Kamer, 54-55). Është quajtur kështu sepse aty mund të arrihet e tërë ajo që dëshirohet nga një kuvend i mirë.
Këto tekste janë shkëputur nga libri ''Hadi el-Erwah ila Bilad el-Efrah'', të autorit Ibën Kajim el-Xhewzije
Përktheu : Omer Murati.
No comments:
Post a Comment