Nga Abdullah bin Umer Ibin El Hattab radijAllahu anhuma transmetohet se ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem duke thënë: “Tre veta nga gjeneratat para jush u nisën për në rrugë, e një ditë i zuri nata para një shpelle në të cilën hynë dhe bujtën. Një shkëmb u rrokullis nga kodra dhe plotësisht e mbylli hyrjen e shpellës. Ata thanë: ‘Shpëtimi nga ky shkëmb është vetëm që ta lusim Allahun e Madhërishëm që ta largojë atë për hir të veprave tona të mira.’
Njëri prej tyre tha: “O Zoti im, unë i kam pasur prindërit pleq të thinjur dhe asnjëherë para tyre nuk ju kam dhënë të hanë e as të pinë fëmijëve të mi e as shërbëtorëve. Një ditë më hutoi kërkimi i kullotës më të mirë për kopenë time, e nuk u ktheva herët. Unë e mola qumështin në enë dhe ua solla por i gjeta duke fjetur. Më erdhi keq t'i trazoj, por edhe që t'i ushqej para tyre familjen dhe shërbëtorët, andaj kam pritur me enë në dorë dhe kam shikuar kur do të zgjohen, e kjo pritje ka zgjatur deri në agim. Fëmijët e mi aty te këmbët e mia klithnin të uritur. Atyre nuk u kam dhënë qumësht derisa janë zgjuar prindërit dhe e kanë pirë qumështin të cilin ua kisha sjellë. O Zoti im! Nëse këtë e kam bërë vetëm për Ty, e për askënd tjetër, atëherë na e largo këtë shkëmb nga hyrja e kësaj shpelle në të cilën gjendemi!” Shkëmbi u lëviz pak, por jo edhe aq sa të mund të dalin.
Njeriu i dytë tha: “O Zoti im, e kam pasur një kushërirë të afërme të cilën e kam dashuruar më tepër se tërë botën, - sipas një transmetimi tjetër - e kam dashur aq fort siç i duan burrat gratë, andaj kërkova prej saj (siç kërkojnë burrat prej grave të tyre), por ajo nuk më lejoi. Një vit mbretëronte uria e kushërira e dashur u detyrua të vijë tek unë dhe unë i dhashë njëqindenjëzetë dinarë (monedha ari) që të vetmohet me mua. Dhe kur ajo ashtu veproi dhe unë plotësisht e përfitova, - sipas një transmetimi tjetër - kur i bashkova këmbët e mia me të saj, ajo (duke qarë) më tha: ‘Frikësoju Allahut dhe mos e kryej aktin pa të drejtë’. Atëherë u largova prej saj duke e kursyer nga akti i turpshëm edhe pse e doja më tepër se çdokënd tjetër, e lëshova duke ia dhuruar të hollat e dhëna. O Zoti im, nëse unë këtë e kam bërë vetëm për të fituar kënaqësinë Tënde, na e largo këtë në të cilën jemi!” Shkëmbi përsëri edhe pak lëvizi nga hyrja e shpellës, por jo edhe aq sa të mund të dilet prej saj.
Njeriu i tretë tha: “O Zoti im, unë kam pasur rrogëtarë dhe të gjithëve ua kam paguar menjëherë fitimin e merituar përveç një njeriu i cili u largua para se ta marrë mëditjen. Unë mëditjen e tij pastaj e kam përdorur si duhet dhe pasuria e tij u shumëzua. Pas një kohe rrogëtari im më erdhi e më tha: ‘O robi i Zotit, m'i jep të hollat për mëditjen time të papaguar!’ Unë i thashë: ‘Krejt çka sheh, pasuria, delet, lopët, devetë dhe robërit janë prej mëditjes tënde që është shtuar’. Ai tha: ‘O robi i Zotit, mos u tall me mua!’ Unë atëherë i thashë: ‘Unë nuk po tallem me ty’. Pastaj e mori tërë mallin dhe shkoi, duke mos më lënë asgjë. O Zoti im, nëse unë këtë e kam bërë vetëm për Ty, atëherë na e largo këtë shkëmb nga hyrja e shpellës! Shkëmbi u rrokullis, kurse udhëtarët dolën dhe e vazhduan rrugën!”[1]
Shejh Albani (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Puna e mirë me të cilën i dyti iu lut Allahut ishte mosrënia e tij në imoralitet me femrën të cilën ai aq shumë e dashuronte, e sidomos kur i kishte të gjitha mundësitë duke përfituar nga uria dhe skamja në të cilën ajo ndodhej. Mirëpo kur ajo i përkujtoi Zotin e Madhëruar, zemra e tij u frikësua, gjymtyrët ngrinë dhe ai e la atë bashkë me pasurinë që i kishte dhënë.”[2]
[1] E transmeton Buhariu 3465 dhe Muslimi 2743. E transmeton gjithashtu imam Ahmedi me nr. 12439 nga Enesi. E transmeton gjithashtu Et Taberani në “Ed Dua”, Vëll. II, f. 765 nga Nuaman ibën Beshiri. Ibën Haxheri e ka komentuar gjerësisht këtë hadith në “El Fet’h” me numër 3465.
No comments:
Post a Comment